E Enjte, 25. tetor 2012.

Zhvillimi i sipërmarrjes femërore konsiderohet një "Ekonomi e Mëncur"

24 ore Lajme

Autori: N.Mano

Zhvillimi i sipërmarrjes femërore konsiderohet një "Ekonomi e Mëncur"

Në Shqipëri nga 106.477 biznese të vogla dhe të mesme, gratë zotërojnë 25.7% të tyre, kryesisht në tregti, profesione të lira, bujqësi dhe rrobaqepësi, por nëse do të ketë politika specifike zhvillimi, përveç rritjes së sipërmarrjes femërore, ato mund të kthehen në motorr nxitës në zhvillimin ekonomik të vendit.
Rreth këtyre sfidave u diskutua sot në Tiranë gjatë Konferencës "Kontributi i grave sipermarrëse shqiptare në ekonomi", në 20-vjetorin e Shoqatës së grave Afariste dhe profesioniste (SHPGAZ), me mbështetjen e GIZ, AIDA-s dhe AIC.

I pranishëm në takim, Kryeministri Sali Berisha vlerësoi rolin e gruas sipermarrëse dhe kërkoi rritjen e rolit të tyre në shoqëri ku duhet thyer "muri mijëravjeçar i patriarkisë", që sipas tij "gjeneron padrejtësi ndaj gjinisë femërore".
Ndërsa pranoi se bizneset dominohen nga burrat, Berisha premtoi ndërhyrje të qeverisë për të mbështetur dhe nxitur rritjen e sipermarrjes femërore në shkallë vendi.

"Do të përpiqemi të zgjerojmë hapësirën për biznesin për ju. Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka që linjat e kreditimit për biznesin të ecin drejt jush më përpara, pasi një gjë është e sigurtë, ato para nuk do të mund të përfundojnë në bingo dhe kazino, përkundrazi, me përkushtimin më të madh tuajin ato do të bëhen një histori suksesi", u shpreh Kryeministri Berisha.

Përfaqësuesja e OKB në Tiranë, Zineb Toumi-Benjelloun prezantoi situatën në botë të politikave për barazinë gjinore, ku merr rëndësi të vecantë sipërmarrja femërore, si faktor ndikues në shoqëri. Ajo nënvizoi faktin se "sa me e lartë të jetë pjesëmarrja e sipermarrjes femërore në fushat ekonomike, aq më të zhvilluara nga pikëpamja sociale dhe e mirëqënies janë vendet ku ato zhvillohen".

Zineb Toumi-Benjelloun parqiti objektivat që OKB ka nisur për rritjen e barazisë gjinore, ku ndër faktorët kryesorë spikasin arsimi i kualifikuar i grave dhe vajzave, nxitja përmes kreditimit për nisjen e sipërmarrjeve femërore, etj.

Ministri i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto prezantoi politikat që pritet të rrisin nxitjen e sipërmarrjes femërore përmes linjave të kreditimit. Në këtë kontekst ai premtoi më shumë hapësira për këtë çëeshtje përmes programeve që po zhvillon METE për SME-të, pasi derisot, nga 75 projekte përfituese nga programi i qeverisë Italiane, vetëm 8 janë fituar nga femrat, ç'ka përben një fushë në zhvillim.

Flutura Xhabija, Presidente e Shoqatës së grave Afariste dhe profesioniste (SHPGAZ), kërkoi më shumë vëmendje nga qeveria për nxitur sipermarrjen femërore dhe hodhi idenë për krijimin e një banke të vogël për kredi të buta dhe për krijimin e një linje kursim-krediti për to.

Sipas INSTAT, 18% e menaxherëve të bizneseve private janë gra por përqëndrimi i tyre vërehet kryesisht në Tiranë e Elbasan ku janë përqendruar 61% e tyre. Në shkallë vendi, gratë drejtojnë në 56.2% bizneset e vogla, 15.7% në turizëm, shërbime të tjera në 15,2%, industri 6.1%, etj.

Nga një studim i kryer nga "UN Women" në Tiranë, femrat jo vetëm që punësohen në sektorët që paguajnë më pak , por dhe po braktisin arsimin profesional, çka i largon nga mundësia e punësimit si specialiste. Vitet e fundit është rritur numri i vajzave që studjojnë kryesisht në shkenca humane dhe vetëm 30% e tyre ndjekin studime në fakultetet e inxhinierisë, sektori më i mirëpaguar në vend.

Sipas studimit, bankat janë më të gatshme të financojnë projektet e grave për kreditim. Edhe pse ato drejtojnë më pak se 1/5-tën e bizneseve në shkallë vendi, ato kanë arritur të marrin 31% të vlerës së përgjithshme të kredive, të cilat, në fakt u jepen vetëm nëse kanë kaluar dy vjet nga ngritja e bizneseve dhe jo për hapjen e bizneseve të reja, ç'ka krijon pengesa.

Tregues të ulët regjistron arsimimi profesional për femrat, çka lidhet me mungesë interesi për të marrë një zanat në arsimin e mesëm, çka vështirëson më tej punësimin e tyre. Sipas "UN Women", arsimi profesional nuk paraqet interes për vajzat, pasi pjesa kryesore e kurseve në shkollat profesionale janë kryesisht në profesione tradicionalisht për meshkuj si tregti industriale, elektromekanikë, ndërtim. Vajzat i gjen në shkollat e agrobiznesit, turizëm, ekonomike, rrobaqepësi.

I ngjashëm me arsimin e mesëm është dhe profilizimi i theksuar gjinor në universitete. Studentet femra zënë 73% të të regjistruarve në arsim, 68% në mjekësi dhe 61% në shkenca humane e arte, ndërsa në inxhinieri, që është sektori ku paguhen pagat më të mira dhe më i kërkuari në tregun e punës, ato zënë vetëm 30% të studenteve.

Në Shqipëri prania e grave në këshillat e administrimit e drejtimit të kompanive ende nuk është studiuar dhe nuk ka statistika të matura, mbi të cilat të ndërtohen politikat e zhvillimit. Sipas studimeve të KE-së, sipërmarrjet me përfaqësim të madh femrash në nivelin e këshillave drejtues dhe si drejtuese të larta kanë efektivitet më të mirë se ku mungojnë.

KE vlerëson se përqindja e grave në këshillat mbikëqyrës të kompanive të kuotuara në BE është mesatarisht 12%, ndaj dhe çështjet e diversitetit gjinor në vendimmarrje po trajtohen gjerësisht me strategjinë e barazisë gjinore 2010-2015. Ndërsa Franca dhe Italia po shqyrtojnë të ndërmarrin veprime konkrete në këtë drejtim, Norvegjia e Spanja i kanë hedhur hapat.

Fuqia e gruas në zhvillimin e bizneseve të vogla konsiderohet si një rrugë shumë e suksesshme për të fuqizuar ekonomikisht atë dhe si pjesë e shoqërisë, një potencial i madh emancipues. Por jashtë përfaqësimit mbeten ende gratë që drejtojnë biznese të mesme dhe të mëdha, për të cilat në shkallë vendi mungojnë studimet.

Edhe pse në vend operon prej 20 vitesh një shoqatë e grave afariste, ajo nuk përfaqëson grupet e bizneseve të mesme dhe të mëdha të drejtuara nga gra dhe vajza, të cilat kanë hyrë në eksporte dhe prodhim me cikle të mbyllura në vend. Nxitja e krijimit të organizatave të grupeve të tilla të interesit sot është bërë kërkesë urgjente, pasi ato mund të shërbejnë me krijimin e fondeve të financimit për zhvillimin e barazisë gjinore edhe në ekonomi. 

pas
  • Kerkim
  • Kerkim i shpejt
Kerko

shembuj:
apartament me qera Tirane
bli shtepi Durres
shes apartament Emri i agjensise

Kendi im

Vetemprona.com

Prona dhe Agjenci Pronash ne nje vend

InfoPoint